Lajme

Edhe shqiptarët çmenden pas Bitcoin

Loading...

Teksa kriptovaluta Bitcoin arrin nivele të reja rekord ditë pas dite, po ashtu tërheq gjithmonë e më tepër të interesuar të bëjnë tregti në këtë valutë.
Aktualisht 1 Bitcoin këmbehet për rreth 17 mijë dollarë, ndërsa deri ditën e djeshme vlera ishte trefishuar në gati 20 mijë dollarë.

Kjo do të thotë se nëse më 1 Nëntor do të kishit blerë rreth 5 mijë dollarë në këtë valutë, më 19 Dhjetor vlera e saj do të ishte 14,843 dollarë. Ama nëse do të kishit blerë 5 mijë dollarë në bitcoin dje, sot do të kishin vlerën e 4850 dollarëve.

Pavarësisht paralajmërimit të Bankës së Shqipërisë dhe një sërë institucionesh të tjera ndërkombëtare, por edhe luhatjeve të mëdha, ky raport i lartë fitimi ka bërë që shqiptarët t’u drejtohen në një numër të lartë kriptovalutave.

Nga një monitorim i kryer nga SCAN të grupeve kryesore në rrjetet sociale, rezulton se grupi kryesor demografik që është aktiv në këtë tregti janë meshkuj të rinj nga mosha 20-35 vjeç (98%). Shumë prej tyre nuk kanë njohuri specifike në mënyrën se si funksionon kjo valutë, pasi kjo nuk është e nevojshme në tregtimin e saj.

Interesi dhe angazhimi më i lartë u përket shqiptarë të Kosovës, ndjekur nga shqiptarët nga Shqipëria dhe Maqedonia.

“Bitcoinin e kam ndjekur gati 1 vit dhe kam lexuar shumë gjëra për të. Sa është i sigurt atë askush nuk mundet ta garantojë. Por për momentin është biznesi më i mirë në internet”, tregon një shqiptar nga Shkupi, i cili ka vendosur të blejë sërish Bitcoin pas ngritjes së çmimit, duke zgjeruar portofolin e tij në këtë valutë.

Shtimi i interesit konfirmohet edhe nga “Google Trends”, i cili analizon kërkimet për termin “bitcoin”. Në mes të muajit Dhjetor, kërkimet në këtë motor kanë arritur pikun historik.

Në fakt, përtej kureshtjes, valutat virtuale po shihen gjithmonë e më tepër si një burim i sigurt të ardhurash. Janë me qindra artikujt e postimet në mediumet e hapësirës shqiptare që bëjnë thirrje për të investuar, pasi çmimi do të vazhdojë të rritet.

“Sigurisht që askush nuk ta garanton se do fitosh kaq apo aq mijë euro, ama duhet pranuar se rreziku është shumë më i ulët se në investime të tjera. Kur pranohet kumari, pse të mos pranohet dhe kjo?”, shprehet një i ri nga Tirana, i cili gjithashtu shërben si “kambist virtual”, duke ofruar shkëmbimin e Bitcoin me euro apo lekë, në varësi të kursit ndërkombëtar.

Tregtia në këtë valutë është e mundur edhe përmes internetit, pavarësisht se pjesa më e madhe preferojnë të takohen personalisht me shitësit. Një koment ku njofton se kërkon të blesh apo shesësh bitcoin mjafton për të gjetur një tregtar.

Shpesh ndeshen edhe komente të ndryshme humoristike, si ky i mëposhtmi, i cili duke parë se dikush kërkon të shesë 5 bitcoin, e lavdëron për faktin se mund të blejë një apartament në mes të Prishtinës.

Pasi caktohet vendtakimi, zakonisht janë vende publike, tregohen paratë cash që do të këmbehen dhe kryhet transaksioni në portofolin e blerësit përmes laptopit apo celularit.

Më pas, valuta do të qëndrojë në këtë portofol derisa çmimi të jetë i përshtatshëm.

“Kam blerë disa valuta elektronike edhe jam duke i ndjekur me vëmendje. Sipas statistikës që janë duke e dhënë në internet janë të sakta, dhe ashtu qysh i kanë treguar janë duke shkuar. Është pritur bitcoini deri në fund të vitit të mbërrijë 20.0000 dollarë dhe ja arriti. E njëjta vlen edhe për Etherium, i cili është pritur muajt e fundit të rritet shumë, dhe ja sot është me çmimin më të lartë të saj”, thotë një tjetër i ri, i cili ka vendosur të rrezikojë me kriptovalutat.

Shumat e këmbyera variojnë nga 1500 euro, deri në 150 mijë euro në disa raste, çka nënkupton se vlera e këtij tregu në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni është shumë e lartë. Edhe pse statistikat zyrtare për rajonin mungojnë, nëse presim që ato t’i përngjajnë vendeve si Kroacia me 4.1 milionë banorë, atëherë mund të flasim për një volum mesatar ditor prej 25 mijë eurosh të tregtuara në hapësirën shqipfolëse të rajonit.

“Kam investuar shumë, shifra të cilat nuk mund t’i tregoj. Edhe nëse i shes me çmimin e sotëm, fitimi është 60% më shumë”, shton për SCAN një nga “investitorët” e Bitcoin në Shqipëri.

Në masë, individët shprehen se i pranojnë rreziqet e luhatjeve të vlerës së kriptovalutave, por shprehen se me durim do të ketë gjithmonë fitime. Por në lidhje me kohën dhe durimin janë shprehur dhe shumë analistë dhe ekspertë të huaj, të cilët i quajnë kriptovalutat si “flluskën më të madhe të historisë”, e cila pasi të plasë do të rrënojë të gjithë ata që kanë investuar në to.

Krahas atyre që luajnë me çmimin e kësaj valute, në Shqipëri ka edhe nga ata individë që paguhen në bitcoin për punët e kryera në internet, si edhe investitorë që kanë krijuar minera gërmimi për nxjerrjen e bitcoin.

Loading...
Tags

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close